• =?utf-8?Q?Shqiptar=C3=ABt_n=C3=ABp=C3=ABr_d?= =?utf-8?Q?ekada:_=C3=87fa

    From y.m@gmx.com@21:1/5 to All on Mon Jan 1 19:40:47 2018
    XPost: shqip.politike, alt.binaries.albanian

    Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017! (Foto)
    Zhvillime të shumta e kanë karakterizuar botën në 100 vitet e fundit.
    Por, jo shumë gjëra të mira u ndodhën shqiptarëve në vitet që shtatëshen e kishin në fund. Se në çfarë rrethanash kanë jetuar dhe çfarë kanë përjetuar ata në vitet 1917, 1927, 1937, 1947, 1957, 1977, 1977, 1987, 1997, 2007 dhe 2017, këto mund t’i mësoni apo kujtoni edhe njëherë përmes shkrimit të mëposhtëm.

    1917: FILLIMI I FUNDIT I LUFTËS SË MADHE


    Bota vazhdon të jetë në luftë. Por, këtë herë rrjedhat e luftës ndryshojnë në dobi të Antantës së Madhe, sepse shteteve rreth
    koalicionit anglo-francez i bashkohen edhe Shtetet e Bashkuara të
    Amerikës. Ndryshim i politikave – kryesisht neutrale – të jashtme amerikane, erdhi pas zbulimit të të ashtuquajturit Telegrami
    Zimmermann. Fjala është për komunikimin sekret mes Gjermanisë dhe Meksikës. Ky zbulim ishte triumf i madh i inteligjencës britanike që dëshmon se sa e rëndësishme është informata.


    Telegrami Zimmerman (i koduar)

    Se informata është e rëndësishme, e sidomos mënyra se si duhet të plasohet ajo, dëshmon fakti se po këtë vit, më 4 qershor, jepet për
    herë të parë Çmimi i Parë Pulitzer i Gazetarisë. Ky çmim nderon emrin
    e gazetarit dhe të botuesit që ka bërë revolucion në gazetari dhe në përgjithësi në botën e informimit, Joseph Pulitzer.


    Joseph Pulitzer dhe pushteti i mediave (ilustrim i realizuar në kohën
    e tij)

    Kështu, më 6 prill 1917, amerikanët do të futen në luftë dhe kjo do të shënojë fillimin e fundit të Perandorisë Gjermane dhe Perandorisë Austro-Hungareze.

    Shkatërrimi i Perandorisë Austro-Hungareze nuk do të jetë lajm i mirë
    për shqiptarët e copëtuar e të rrethuar me armiq. Pos kësaj, një
    ngjarje tjetër do të ndikojë jo mirë te shqiptarët. Në mars 1917 nisin trazirat sociale në Rusi që detyrojnë perandorin Nikolai i II-të të abdikojë, e që do të kulmojnë në tetor me revolucion komunist.


    Komunizmi do të triumfojë mes rusëve, duke shënuar kështu një epokë të re në rrjedhat e historisë së shekullit XX. Pas Luftës së Dytë
    Botërore – që shpërthen më 1939 e përfundon më 1945 – pos Bashkimit të
    Republikave Socialiste Sovjetike, komunizmi do të jetë sistem
    shtetëror në tërë Evropën Juglindore, përfshirë tokat ku jetojnë shqiptarët. Dhe, me komunizmin e fuqishëm në Evropë, do të nisë epoka
    e njohur si Lufta e Ftohtë.


    Rrugët e Moskës, në tetor 1917

    Në këtë vit ka lindur këngëtarja Dame Vera Margaret Lynn. Për padrejtësitë që do të ndodhin me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, do të shpërthejë Lufta e Dytë Botërore. Vera atëherë do ta këndojë këngën “Do të takohemi sërish” – këngë kjo që ngjallte optimizmin e ushtarëve se do të kthehen gjallë tek më të dashurit e
    tyre! “A e mban mend dikush Vera Lynnin, kur tha se do të takohemi
    sërish, në një ditë me diell. Vera, çfarë ndodhi me ty? A ndjen dikush tjetër këtu, ashtu siç ndjej unë?”, është kënga e vitit 1979, e rok grupit anglez, Pink Floyd. Kënga është kompozuar nga Roger Waters,
    babai i të cilit vdes në Itali më 1944. Për të “mesazhi” i Verës ishte
    veç një mashtrim!


    Vera Lynn

    Më 29 maj 1917 do të lind John Fitzgerald Kennedy, presidenti i 35-të amerikan. Më 22 nëntor 1963, ai do të vritet dhe vrasja e tij do të
    jetë një nga misteret më të mëdha të shekullit XX. Ndërsa, më 6
    shtator do të lind Philipp von Boeselager, që ka mundur t’i japë kah tjetër historisë, nëse ai me grupin e tij, më 20 korrik 1944 do t’ia dilte ta vriste diktatorin gjerman, Adolf Hitler. Po këtë vit, pra më
    1917, do të arrestohet dhe ekzekutohet valltarja ekzotike holandeze,
    një nga spiunet më të mëdha të Luftës së Parë Botërore, Margaretha Geertruida “Margreet” MacLeod – e njohur si Mata Hari.


    John Fitzgerald Kennedy (foto e vitit 1918)

    Më 26 qershor 1917, në Tupallë të Luginës së Preshevës do të lind një nga albanologët më të mëdhenj shqiptarë, Idriz Ajeti. Ndërkaq, një
    ditë më vonë, në Shkodër do të lind kompozitori i madh, Prenk Jakova, autori i operës së parë shqiptare, “Mrika”. Më 16 shtator 1969, në kohën kur komunizmi sundonte Shqipërinë, ai do të vendosë t’i japë
    fund jetës së tij.


    Prenk Jakova

    Kur është fjala te shqiptarët, ata në këto rrjedha ishin pothuajse të parëndësishëm. Për këtë vit vlen të përmendet se vazhdon të funksionojë Republika Autonome Shqiptare e Korçës, nën kontrollin
    francez, dhe se u hap Liceu Kombëtar Shqiptar (Liceu Kombëtar i Korçës
    ose Liceu Francez), që përhapte kulturën franceze dhe vlerat
    evropiane. Në këtë shkollë do të mësojë komunisti më i madh shqiptar, Enver Hoxha, që do të sundojë me dhunë Shqipërinë që nga viti 1944 e deri me vdekjen e tij më 1985. Nën pushtetin e tij, më 1974 do të ekzekutohet komunisti dhe bashkëpunëtori i tij që ka lindur më 14
    shkurt 1917, Beqir Balluku.


    Kartolinë franceze: Korça e vitit 1917

    Më 1917, shqiptarët do ta humbin intelektualin dhe luftëtarin e madh
    të çështjes kombëtare, korçarin Themistokli Gërmenji. Ai ishte prefekt
    i Korçës, por me intriga të grekomanëve dhe bashkëpunëtorëve
    shqiptarë, do të arrestohet dhe do të dërgohet për gjyq në Selanik, ku
    do të pushkatohet. Në letrën e fundit që do t’ia dërgojë gruas (para pushkatimit të tij më 7 nëntor 1917, në Selanik), do të thotë: “E dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i çpifjeve… Dijeni që vdes i pafajshëm… Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur” (sic.)!


    Oficeri francez në Korçë

    Në këtë vit, nga emrat tjerë të rëndësishëm të historisë shqiptare, do
    të vdesin: Preng Doçi – një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi” dhe
    bashkëhartues i alfabet me bazë latine; Nikollë Kaçorri – prift
    katolik, politikan, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së
    Shqipërisë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit; si dhe Stathi Melani – prift ortodoks shqiptar që ka
    marrë pjesë në Kongresin e Manastirit.


    Nikollë Kaçorri

    Më 4 mars 1917, Woodrow Wilson do të japë betimin për mandatin e dytë
    si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të njihet si
    mik i madh i shqiptarëve, i cili do të mbrojë ekzistencën e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, një vit më vonë. Ndërsa, më 20 korrik 1917, Parlamenti i Finlandës me shumicën socialdemokrate
    shpall pavarësinë. 100 vjet më vonë, Finlanda do të jetë një nga
    shtetet më të zhvilluara në botë, me nivel ndër më të lartët të edukimit dhe të jetesës.


    Woodrow Wilson

    1927: VDIQ SHOTA, VDIQ SEFERI…

    Në vitin 1927, Shqipëria nën Ahmet Zogun ishte në dilema të mëdha: të mbante anën e Jugosllavisë ose të Italisë. Zogu zgjedh Italinë, gjë që
    e hidhëron Jugosllavinë që e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet më 1924. Por, kushtet e bashkëpunimit me Italinë ishin aq të këqija sa që thuhet se pushtimi italian i Shqipërisë nuk ndodh më 1939 po më 1927.

    Fjala është për zbatimin e Traktatit me këto pika: “1. Shqipëria dhe Italia pranojnë se shqetësimi i çfarëdolloj ndaj status quo-së aktuale politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të palëve; 2. Në mënyrë që të mbrohen interesat
    e sipërpërmendura, palët nënshkruese ndërmarrin t’i japin njëra-tjetrës mbështetje dhe bashkëpunim të përzemërt të ndërsjellë, dhe të mos nënshkruajnë me Fuqi të tjera politike apo ushtarake që
    kanë paragjykime ndaj interesave të palës tjetër kontraktuese të përcaktuar në këtë traktat; 3. Palët e larta kontraktuese marrin përsipër t’i nënshtrojnë një procedurë paqëtimi apo arbitrimi çështjeve që mund t’i përçajnë ato dhe që mund të kenë mbetur pa zgjidhur përmes metodave të zakonshme diplomatike. Format dhe
    procedurat e zgjidhjeve paqësore do të përcaktohen në një konventë të posaçme që do të përfundohet pa vonesa; 4. Kohëzgjatja e Traktatit
    aktual do të jetë për pesë vjet dhe mund të denoncohet ose rinovohet
    një vit para skadimit”.

    Siç do të thotë historiani dhe gazetari anglez Henry Wickham Steed, në
    një raport të 5 prillit 1927 – për Institutin Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare – pala shqiptare nuk e ka ditur mirë se çfarë po nënshkruan.


    Romë, 24 qershor 1927: Ratifikimi i Traktatit me Italinë

    Shqipëria ishte aq e pazhvilluar, me zona të tëra të lëna pas dore, sa
    që nis të shndërrohet në atraksion për gazetarët, historianët apo antropologët e huaj – gati siç janë sot fiset e harruara të Amazonës
    apo të Afrikës. Kështu, gazetari Joseph Roth, gjatë një vizite që bën në kryeqytetin e Shqipërisë, do të thotë: “Tirana është një minierë subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet
    politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një ‘molle sherri’”. Ndërsa,
    për Shqipërinë në përgjithësi do të thotë: “Shqipëria është pikërisht
    në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve”.


    Tregu i Shkodrës (1927)

    Edhe këtë vit funksiononte në Shqipëri, Banka Serbo-Shqiptare, e cila qëllim të vetëm kishte futjen e të gjithë shqiptarëve nën varësinë ekonomike të Serbisë. Serbia moti kishte synim për të hapur këtë
    bankë, por këto plane i realizuan përmes Zogut. Fatmirësisht, Zogu u vetëdijesua për këtë gabim. Kështu, më 1927 mbyllet në Shkodër filiali i bankës qëllimkeqe – me humbje të mëdha.

    Të njëjtën kohë, Zogu lëshon në qarkullim bankënota dhe monedha me portretin e tij. Ai ishte edhe president e edhe kryeministër i vendit,
    ndërsa armiqtë që do ta rrezikonin pushtetin e tij, veç ishin
    rralluar.


    10 Franga Ar (1927)

    Teksa Zogu kujdesej se si do të dukej në franga, më 3 korrik 1927, një
    nga simbolet e rezistencës shqiptare, luftëtarja Shote Galica, do të
    japë shpirt në varfëri në Fushë Krujë. Shota kishte kërkuar më parë ndihmë nga Zogu, përmes një letre me këto fjalë: “Unë jam Shote
    Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kacake të Kosovës. Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për clirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me
    fëmijët jetim” (sic.).


    Shote Galica

    Po këtë vit vdiq edhe atdhetari Iriz Seferi. Thuhet se kur dha shpirt,
    ia la këto fjalë trashëgimtarëve (përmes gruas, Bahtijes): “Thueju djemve, amanet Kosovën”!


    Idriz Seferi (në rreshtin e parë, djathtas): Mendohet që kjo foto të
    jetë bërë në hyrje të Ferizajt pas Betejës së Grykë së Kaçanikut kundër ushtrisë turke të Shefqet Dërgut Pashës

    Ndërkohë, më 1927 formohet Klubi Futbollistik Vëllaznimi në Gjakovë (atëherë quhej “Shpata e Kosovës”). Themelues ishte Faik Dushi. Në këtë vit vazhdon eksodi i dhunshëm i shqiptarëve të Kosovës për Turqi. Sipas statistikave, më 1927 u larguan 5,197 nga ta, apo 316 familje
    shqiptare.


    Simboli i KF “Vëllaznimi”

    Në këtë vit lindi edhe një politikan, i cili do të vritet më 1986 në rrethana ende të panjohura. Fjala është për kryeministrin suedez Olof Palme. Të njëjtin vit e në të njëjtin shtet, do të formohet kompania e automobilave, Volvo, që do të nis një standard të ri në sigurinë e udhëtarëve.

    Më 1927 do të lindin edhe: shkrimtari dhe nobelisti kolumbian, Gabriel
    Garcia Marquez; Papa Benedikti i XVI – i katërti Papë në historinë 2000-vjeçare të krishterimit që do të tërhiqet nga ky titull; aktorja
    e njohur italiane, një seks simbol i viteve ’60 të shekullit të
    kaluar, Gina Lollobrigida; aktori Roger Moore që do të luajë rolin e agjentit më të njohur të letërsisë dhe kinematografisë, James Bond; si dhe dramaturgu dhe nobelisti gjerman, Gunter Grass.


    Gina Lollobrigida

    Më 1927 lindin dy komunistë të njohur: Në Dibër të Madhe do të lind
    Hibe Palikuqi, së cilës do t’i këndojnë shumë këngë shqiptarët në Jugosllavinë komuniste, meqë thuhet se luftoi dhe ra heroikisht si
    pjesë e Brigadës së XVIII-të Sulmuese, duke çliruar Kërçovën nga
    forcat nazifashiste. E, në Lubinjë të Poshtme të Prizrenit u lind funksionari i lartë komunist i Kosovës, Ilaz Kurteshi. Kurteshi
    dyshohet se ishte goran, por me vepra tamam njeri e tamam përfaqësues
    i interesave shqiptare. Ai ishte një nga hartuesit e Kushtetutës së
    vitit 1974 dhe, me vendimin e presidentit Ibrahim Rugova, edhe anëtar
    i delegacionit të Kosovës që – në prag të bombardimeve të NATO-së – ka
    nënshkruar në Paris të ashtuquajturën Marrëveshje e Rrambujes.


    Ilaz Kurteshi

    Ndërkohë, në Shkodër, 10 vite pasi lindi kompozitori i madh Prenk
    Jakova, do të lind një tjetër kompozitor i madh shqiptar, Çesk Zadeja,
    që jo veç si krijues po edhe si pedagog do të japë kontribut në
    zhvillimin e artit muzikor ndër shqiptarë.


    Ne rreshtin e parë (ulur), të kësaj fotoje të bërë në Shkodër, janë tre fëmijë që më vonë do të jenë ndër kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë. I pari është Çesk Zadeja, i pesti është Tish Daija dhe i dhjeti në rresht është Tonin Harapi

    1937: ELABORATI FAMËKEQ: “NËSE E TOLERON KËTË, FËMIJËT E TU DO TA PËSOJNË NESËR”

    Shkrimtari Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), një shoku ia kishte uruar
    vitin e ri 1937, me këto fjalë: “Shok i dashtun, unë përgjithësisht
    nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për
    ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të
    gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt
    asgja. Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe
    t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.

    – Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as
    britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë,
    zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu
    gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

    – Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të
    jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në
    sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta
    Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore
    (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe
    pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke
    të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.

    Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e
    bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të
    të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet
    botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht” (sic.).


    Migjeni

    Por, viti 1937 nuk do të jetë i mirë për shqiptarët…

    Në Klubin Kulturor Serb në Beograd, bëhet projekti fatal për
    shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve prej Kosovës dhe Maqedonisë – për në Shqipëri dhe në Turqi. Fjala është për elaboratin famëkeq të Vasa Çubriloviqit (pjesëmarrës në atentatin e Sarajevës, ku vritet trashëgimtari i fronit austriak, Franz Ferdinand, që qe shkak i Luftës
    së Parë Botërore), i cili sugjeroi se mënyra për zgjedhjen e
    “problemit shqiptar” është spastrimi etnik masiv.

    “Arnatutët është e pamundur t’i shtypësh vetëm me kolonizim gradual… Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e një qeverie shtetërore”, thoshte ai.

    Çubriloviqi kërkonte dhunë ndaj shqiptarëve, dënime, arrestime, gjoba, forca paramilitare çetnike e shkatërrime të pronave, siç kishin bërë serbët më 1878-1878 me shqiptarët e Nishit, Kurshumlisë, Toplicës…


    Vaso Çubriloviq, në vitin 1914, nën arrestin e policisë
    austro-hungareze

    “Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të zhvendosë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, dëbimi i disa qindra-mijëra shqiptarëve nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore”, shtonte ai. “Nëse shteti dëshiron të intervenojë në dobi të popullit të tij në luftën për tokë, do të ketë sukses veç duke vepruar brutalisht”.

    Këtë elaborat e ka mbështetur edhe shkrimtari kroat, nobelisti Ivo
    Andriq që punonte kundër interesave edhe të popullit të tij e në dobi
    të Serbisë.

    Për të zbatuar elaboratin, Qeveria e Beogradit veç kishte organizuar formacione paramilitare të çetnikëve të udhëhequr nga Kosta Peçanci, Miliq Krstiq, Jovan Babunski, Vasilije Trbiq etj. që organizonin
    ekspedita dhune, terrori dhe plaçkitje të organizuara. Të njëjtat
    skena dhune e terrori do të përsëriten gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-99.


    Ilustrim: Hekurudha e Ferizajt (Foto e bërë nga Franz Baron Nopcsa më
    1903)

    Teksa këto tmerre ndodhnin në Kosovë, shumë shqiptarë i ishin bashkëngjitur Luftës Civile në Spanjë, që për tri vite (1936-1939) do
    të vrasë afro një milion të vrarë. Këtë vit nëpër Evropë do të përhapet posteri i quajtur, “If You Tolerate This Your Children Will
    Be Next” (Nëse e toleron këtë, fëmijët e tu do ta pësojnë nesër). Ky ka qenë slogani që nxiti edhe vullnetarët nga Uellsi i Britanisë së
    Madhe, t’ju bashkohen forcave republikane e ta luftojnë regjimin e gjeneralit Francisco Franko në Spanjë. Në poster ishte fotografia e
    një fëmije të vrarë nga bombardimet. Një nga vullnetarët e dikurshëm
    që shkoi në Spanjë, ishte një katundar uellsian sipas të cilit “nëse mund t’i vras lepujt, atëherë mund t’i vras edhe fashistët”! Kaq e thjeshtë ishte të vrasësh atëherë! Të inspiruar nga kjo ngjarje, më 1998, grupi uelsian Manic Street Preachers do ta këndojnë këngën “If
    You Tolerate This Your Children Will Be Next”, që nënkupton vrasjen e idealizmit, të fëmijërisë e të rinisë. Pra, vrasjen e së ardhmes!


    Posteri i tmerrit i vitit 1937

    Më 1937, Pablo Picasso përfundon edhe kryeveprën e tij “Guernica”. Po këtë vit, Hermann Goering ishte shef i forcave ajrore gjermane. Moment
    ideal për ta testuar aviacionin gjerman ishte mbështetja e Francos
    duke bombarduar qytetin Guernica – kryeqytetin shpirtëror të baskëve. Bombardimi ishte i tmerrshëm, me shumë shkatërrime e me shumë viktima.
    Nga këtu Picasso inspirohet për kryeveprën e tij.


    Guernica pas bombardimit

    Pas pushtimit nazist të Francës, Picasso nuk u largua nga Parisi. Por,
    nuk bënte ekspozita, meqë shqetësohej shpesh nga oficerët nazistë të Gestapos gjermane. Gjatë një kontrolli që këta të fundit ia bënë atij në banesë, një oficer gjerman e sheh fotografinë e pikturës “Guernica”. “E ke bërë ti?”, e pyet ai Picasson. “Jo, ti e ke bërë!”,
    i përgjigjet Picasso.


    “Guernica” e Picassos

    Ngjarjet që shënuan botën janë inaugurimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt; zhdukja e aviatores Amelia
    Earhart; nisja e Luftës së Dytë Sino-Japoneze mes Japonisë dhe Kinës
    që la deri 22 milionë viktima; tragjedia e Hindenburgut – eksplodimit
    të zepelinit gjerman; si dhe filmi i parë i vizatuar i metrazhit të
    gjatë nga Walt Disney, “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”.

    Ky është viti kur lindën artistët e mëdhenj, si mikja e Kosovës,
    aktorja Vanessa Redgrave. Familja e saj është në librin e rekordeve Guinness, sepse ka dhënë më së shumti aktorë. Aktorë tjerë të mëdhenj që linden më 1937 janë edhe Warren Beatty, George Takei, Jack
    Nicholson, Morgan Freeman, Bill Cosby, Dustin Hoffman, Jayne Fonda dhe
    një nga regjisorët më të mirë në historinë e kinematografisë, Ridley Scott.

    Në këtë vit lindën edhe dy politikanë, fatet e të cilëve do të ndërlidhen: lideri I Irakut Saddam Hussein dhe sekretari amerikan i
    Shtetit, Colin Powell. Gjatë mandatit të Powellit, shteti i Saddamit
    dhe pushteti i tij do të bien në duar të amerikanëve.


    Colin Powell

    Në vitin 1937 do të vdesin dy kompozitorë të mëdhenj, George Gershwin
    dhe Maurice Ravel. Do të vdesë edhe një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, nobelisti Guglielmo Marconi, që mbi të gjitha njihet si zbuluesi i radios dhe radio-telegrafisë (të cilat thuhet se
    para tij i kishte zbuluar NikolaTesla, por që nuk ka ditur t’i materializojë), që do të ndryshojnë botën e mediave përgjithmonë. Më 1937 do të vdesë një nga njerëzit më të pasur në historinë e njerëzimit, John Rockefeller. Sipas revistës Forbes, pasuria neto e
    tij kishte vlerën e 392 miliardë dollarëve të vitit 2016. .


    John Rockefeller

    Antropologu gjerman, Raimer Shulc, në vitin 1937 merr pjesë në një ekspeditë gjermano-italiane në Theth të Dukagjinit. Gjatë qëndrimit
    merr pjesë dhe dokumenton varrimin e Ujk Vuksanit, si dhe të
    ashtuquajturën “Gjama e burrave” – traditë e lashtë, sidomos në veri të Shqipërisë. Në ritual marrin pjesë të paktën 10 burra. Sa më i madh të jetë numri i tyre, aq më i madh është respekti për të vdekurin. Historiani shqiptar, Pjetër Marticanaj, ka thënë se kjo traditë është
    e lidhur ngushtë me vdekjen e Skënderbeut. Nga mërzia thonë se princi
    Lekë Dukagjini kishte bërtitur me të madhe, rrihte gjoksin, këpuste
    flokët dhe gërvishte fytyrën e tij.


    Gjama e burrave në varrimin e Ujk Vuksanit

    Më 17 prill 1937 ndodh njohja kanonike e Autoqefalisë së Kishës
    Ortodokse të Shqipërisë nga Patriarkana Ekumenike në Stamboll. Ndërsa, gazeta franceze “L’Intransigeant”, në mars 1937 boton një shkrim në lidhje me vendimin e Zogut për heqjen e ferexhesë. Në të ndër të tjera thuhet: “Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në
    fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e
    Mbretërisë së tij të heqin dorë nga ferexheja, një zakon i vjetër i imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë
    pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Ky vendim ka
    ngjallur gëzim të madh në të gjithë Shqipërinë: tek gratë së pari, të cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, dhe
    tek të gjithë të rinjtë. Tirana është bërë papritur një qytet i lumtur… Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë të gjitha fytyrat… Dhe, të huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë…”!


    Zogu me motrat e tij

    Në fillim të vitit 1937, në Grazhdanik të Prizrenit do të lind një nga emrat më të shquar të letrave shqipe, Anton Pashku, që sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Ndërsa, në Korçë
    do të lind regjisori Viktor Gjika (që njihet për filmat: “I teti në bronz”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”,
    “Komisari i dritës”…).

    Më 1937 lindi edhe nobelisti finlandez, Martti Ahtisaari, sipas planit
    të të cilit do të shpallet pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.


    Anton Pashku

    1947: MIQËSIA DHE ARMIQËSIA ME JUGOSLLAVINË

    Në maj shpërthen Lufta Civile në Greqi. Komisioni i Kombeve të
    Bashkuara konkludon se Shqipëria, Bullgaria dhe Jugosllavia po
    mbështesin guerilët komunistë grekë.

    OKB merret edhe me një temë tjetër, me incidentin në ngushticën e
    Korfuzit kur dy anije britanike bien në mina. Në një rezolutë kërkohet formimi i një komisioni që të hetojë rastin, e në një tjetër që rasti të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Ky incident ndodhi më 22 tetor 1946. Nga minat vdesin 45 oficerë dhe
    detarë britanikë. 42 të tjerë u plagosën. Por, se kush i vuri minat
    dhe cili ishte qëllimi që një shtet i vogël të futet në konflikt me
    një fuqi botërore, kjo ende saktë nuk dihet.


    Koçi Xoxe në burg

    Në korrik, Shqipëria e varfër refuzon të jetë pjesë e Planit Marshall
    të zhvillimit, të projektuar nga amerikanët. Në vend instalohet modeli sovjetik ekonomik. Fjala është për shtetëzimin e industrisë. Kështu, shteti komunist shqiptar zotëron afro 89 për qind të prodhimit
    industrial të vendit. Mbeti pa u shtetëzuar prona e vogël zejtare e tregtare, për të cilën u ndoq si fillim rruga e kooperimit socialist. Procesin e shtetëzimeve shteti e bazoi në tri kritere: Shpronësim pa shpërblim, me forcë e ritme të shpejta.

    Në të njëjtën kohë, Jugosllavia synonte të fuste në varësi ekonomike shtetin shqiptar, me kreditë dhe përpunimin e lëndës së parë.
    Jugosllavia e përfaqësonte Shqipërinë në Kominternë e edhe në takimet për zhvillim ekonomik të shteteve të Lindjes. Madje, ata që e
    kundërshtuan varësinë e tillë ekonomike, u arrestuan. Nako Spiru, nga presionet u detyrua të bënte vetëvrasje më 1947. Dyshohet se prapa
    kësaj loje qëndronte vllahu – zyrtari i lartë komunist i Shqipërisë – Koçi Xoxe, i cili pas prishjes së raporteve me jugosllavët, do të arrestohet dhe do të ekzekutohet më 1949 nga regjimi i Enver Hoxhës.


    Homazhe për Nako Spirun

    Më 1947, otorinolaringologu kroat, Branimir Gushiq, bën një vizitë në Shqipëri, nga veriu në jug. Gjatë kësaj vizite ai realizon shumë fotografi, që dëshmojnë zymtësinë dhe varfërinë e vendit.

    “Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës
    së Dytë Botërore (1939-1944). Pushtetarët komunistë të vendit kishin ndërprerë pothuajse tëra marrëdhëniet me Perëndimin. Edhe për këtë arsye, fotografitë e Branimir Gushiqit të vitit 1947 janë unike dhe të rëndësishme”, ka shkruar për fotot e tij, albanologu Robert Elsie, që
    do të vdesë më 2017.


    Foto e Gushiqit: Gjirokastra, më 1947

    Ndërkohë, shqiptarët e Kosovës i kishin punët keq me komunistët jugosllavë e edhe me ata të Shqipërisë që ishin në miqësi të madhe me zyrtarët e Jugosllavisë. Në Kosovë do të marrë fund edhe Lëvizja Nacional-Demokratike shqiptare (NDSH), që luftonte kundër komunizmit,
    për bashkimin e tokave shqiptare. Eksponentët kryesorë të kësaj
    lëvizjeje do të vriten nga komunistët më 1946, përfshirë Gjon
    Serreqin.


    Hillary Clinton

    Në vitin 1947 u lind Valter Deshpali, çelist dhe profesor në Akademinë
    e Muzikës në Zagreb. Po këtë vit u lindën edhe shkrimtarët Primo
    Shllaku dhe Xhevahir Lleshi.

    Viti 1947 ishte vit i ardhjes në jetë të rokerëve të mëdhenj, si:
    David Bowie, Elton John, Iggy Pop, Brian May, Marc Bolan dhe Brian
    Johnson. Po ashtu, u linden dy kandidatë për president të SHBA-ve:
    Mitt Romney dhe mikja e madhe e shqiptarëve, Hillary Clinton.

    Më 1947 vdiq Victor Emmanueli i III-të i Italisë që në vitet (1939–43) kishte edhe titullin e mbretit të shqiptarëve, si dhe mafiozi më i
    famëkeq në histori, Al Capone, i cili ka thënë se qëllimit ia arrin më lehtë “me fjalë të mira e me armë, se veç me fjalë të mira”!


    Al Capone

    1957: ÇASHTJET…

    Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë ishte Haxhi
    Lleshi e kryeministër Mehmet Shehu. Enver Hoxha ishte “veç” Sekretar i Parë Partisë së Punës.

    Në këtë vit nisin të acarohen edhe më shumë raportet me Bashkimin Sovjetik. Kjo prishje nisi më 1955, kur në Beograd shkon lideri
    sovjetik, Nikita Khruschev, dhe pasi më 1956 po i njëjti denoncon
    politikën e Josif Stalinit.

    Hoxha, këtë vit, në plenumin e Komitetit të Qendror mbrojti
    trashëgiminë e Stalinit.

    “Me nxirjen e Stalinit, armiqtë nuk janë të shqetësuar për të si një person, por qëllimi i tyre është të diskreditojnë Bashkimin Sovjetik, sistemin socialist dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare e, për
    rrjedhojë, të minojnë besimin e punëtorëve në socializëm”, ka thënë Hoxha.


    Mehmet Shehu, Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi

    Ky fjalim s’i ka pëlqyer fare Khruschevit i cili e fton lidershipin shqiptarë në Moskë. Sipas Hoxhës, lideri sovjetik i ka kërkuar atij që t’i rregullojnë raportet me Jugosllavinë, por ky i kishte thënë se nuk
    u beson jugosllavëve, sepse “ata po flasin kundër sistemit socialist
    të shtetit tonë dhe janë kundër themeleve të marksist-leninizmit”. Hoxhës i pengonte po ashtu edhe pse jugosllavët nuk po e thonë asnjë
    fjalë kundër imperializmit dhe pse nuk po i kuptojnë devijimet që po i bëjnë.

    Raportet u acaruan edhe më shumë kur Tito këtë vit refuzoi të jetë
    pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Partive Komuniste. Në këtë takim, shqiptarët me kinezët miratojnë deklaratën ku dënojnë revizionimin si rrezik të botës komuniste.

    Sovjetikët u nervozuan, por nuk ia dolën t’i bëjnë për vete shqiptarët që të rrinë urtë as kur ua dhanë një kredi prej 160 milionë dollarëve
    e as kur ua falën borxhin prej 105 milionëve.


    Tito dhe Khruschevi

    Në vitin 1957, albanologu i njohur Wilfried Fiedler ishte në Shqipëri,
    si pjesë e ekspeditës së përbashkët etnografike gjermano-shqiptare të etnologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli. Pas kësaj ekspedite, në Gjermani u botua studimi “Këngët e Çamëve”. Po këtë vit ishte edhe një
    ngjarje me rëndësi: themelimi i Universitetit të Tiranës. Për dallim
    nga sot, ky institucion arsimor kishte kritere dhe zinte vend më të rëndësishëm në rangimin botëror sesa sot.


    Kavaja më 1957 (Foto e bërë nga Wilfried Fiedler)

    Ndërkohë, në Kosovë vazhdon shkelja e shqiptarëve. Serbët dominojnë në nomenklaturën e Kosovës, sepse ata kanë mbështetjen e famëkeqit
    Aleksandar Rankoviq. Shef i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës ishte Fadil Hoxha, ndërsa Ismet Shaqiri ishte kryetar i Kuvendit.

    Këtë vit në Prishtinë ishte një takimi i “gjuhtarëve për caktimin e disa çashtjeve t’ortografis së gjuhës shqipe”. “Në kët Mbledhje muerën
    pjesë, pothuejse, gjithë gjuhtarët e Kosovë-Metohís, personeli
    mësimuer i Seminarit Albanologjik të Fakultetit të Beligradit,
    gjuhtarët e Republikës Popullore të Maqedonís dhe shum arsimtarë dhe dashamirë të gjuhës shqipe” (sic.). Pra, atëherë dialekti geg jo veç që flitej po edhe shkruhej.


    [continued in next message]

    --- SoupGate-Win32 v1.05
    * Origin: fsxNet Usenet Gateway (21:1/5)