• Thai e quan alternativ e jo shfuqizim, nismn e deputetve pr Specia

    From y.m@gmx.com@21:1/5 to All on Wed Dec 27 19:56:00 2017
    XPost: shqip.politike, alt.shqip

    “Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të
    sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia”, ka deklaruar
    në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës,
    Hashim Thaçi.

    Ai ka thënë po ashtu se nuk i inkurajojnë deputetët rreth kësaj nisme,
    por nëse Kuvendi e aprovon atë, do ta nënshkruante si president.
    Në këtë intervistë, Thaçi u bën thirrje deputetëve që me urgjencë ta ratifikojnë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta evitojnë
    izolimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

    Ndërkaq, në lidhje me dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi shprehet
    se është i gatshëm t’i prijë edhe fazës finale deri në njohjen reciproke mes dy vendeve.

    A i preu në besë aleatët ndërkombëtarë nisma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

    Thaçi: Unë ndihem shumë krenar që jam president i një vendi me
    orientimin dhe vullnetin më pro-amerikan në botë, më pro-evropian në Evropë dhe më pro-NATO, madje edhe prej vet vendeve anëtare të NATO-s. Prandaj, diçka e tillë as nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë.

    Edhe iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të kuptohet si një alternativë dhe jo si një sfidim i drejtësisë, jo si injorim apo ikje nga drejtësia. Ata janë njerëzit e zgjedhur nga populli. I japin llogari zgjedhësve të vet dhe nuk i
    japin llogari as presidentit dhe as ndonjë mekanizmi tjetër
    institucional.

    Prandaj, Kosova vazhdon të punojë në rrugën e vet euro-atlantike, për angazhimin e saj të sinqertë për t’u integruar në NATO, në Bashkimin Evropian dhe ruajtjen e përhershme të raporteve të veçanta me Shtetet
    e Bashkuara të Amerikës. Asnjë çmim nuk do ta lëkundë orientimin euroatlantik të Kosovës.


    A mund të konsiderohet si kapitull i mbyllur çështja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale?

    Thaçi: Vendimi është në fuqi (për Gjykatën Speciale). Kuvendi i
    Kosovës e ka votuar. Kemi edhe propozimin dhe iniciativën e deputetëve
    të Kuvendit të Kosovës. Prandaj, në këtë botë asgjë nuk është e mbyllur, por vendimi është në fuqi.

    Sa ishin shqetësuese për ju, sidomos për ju si presidenti i vendit, deklaratat e diplomatëve të akredituar në Prishtinë, se kjo nismë e deputetëve ka cenuar miqësinë e shtetit të Kosovës me Perëndimin?

    Thaçi: Vlerësoj se çdo hap kushtetues, ligjor, i rregullt
    proceduralisht nga njerëzit e zgjedhur të popullit, duhet shikuar dhe
    merret seriozisht dhe duhet analizuar në rrafshin shumëdimensional dhe
    në asnjë rrethanë në atë konfrontues, apo të hidhet në një kënd që nuk
    është. Të gjithë ata njerëz aty kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sikurse edhe ata që nuk janë nënshkrues, prandaj nuk është mirë të etiketohet askush. As ata që janë pro dhe as ata që janë kundër.

    Veprime të tilla kemi pasur edhe më herët, por mendoj se gjithçka
    duhet të shkojë në drejtim të diskutimit e të mirëkuptimit. Kosova është e zotuar edhe për dialog, edhe për drejtësi, por edhe për
    pajtim.

    Edhe ju vet e keni cilësuar si të padrejtë këtë gjykatë. A mos ishin këto edhe mesazhe të cilat inkurajuan deputetët të ndërmarrin nisma të tilla?

    Thaçi: Unë edhe në gusht të vitit 2015 e kam vlerësuar padrejtësi historike dhe kam ftuar deputetët që të votojnë në të njëjtën kohë, me të vetmin kusht, që të ruhet partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe
    Bashkimin Evropian.

    Edhe sot e vlerësoj se është padrejtësi historike, në veçanti tash kur është mbyllur edhe Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Ndërsa tash shtrohet pyetja, pse për Kosovën diçka e veçantë, diçka speciale, mos jemi qytetarë të kategorisë së dytë, mos kemi sulmuar ndonjë vend, Serbinë.

    Serbia e ka pushtuar Kosovën dhe ajo ishte luftë mbrojtëse nga ana e çlirimtarëve dhe popullit të Kosovës.

    Nga ajo që unë kam lexuar në draftin e kërkesës së deputetëve, nuk është një kërkesë që të sfidojë gjykatën, për të rrëzuar gjykatën, por
    është alternativë, sikurse që kanë vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia.

    Unë nuk i inkurajoj deputetët, por çdo vendim të Kuvendit të
    Republikës së Kosovës unë do ta kryej me obligim dhe do ta nënshkruaj.

    Nëse nuk e nënshkruaj, natyrisht se do të bëja shkelje kushtetuese.
    Kështu që, nuk e shkeli Kushtetutën, pavarësisht deklarimeve të kujtdo qoftë.

    Ju e përmendët çështjen e shikimit ndryshe të Kosovës në raport me vendet e tjera. Një gjendje e tillë paraqitet edhe te çështja e
    integrimeve evropiane dhe liberalizimit të vizave. A besoni se vitin e ardhshëm, institucionet do të gjejnë një kompromis për ratifikimin e Demarkacionit?

    Thaçi: Mendoj se ne duhet ta kalojmë Demarkacionin sa më shpejt, duhet
    ta themelojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe të lëvizim
    drejt liberalizimit të vizave.

    Nëse kjo nuk ndodh gjatë muajit janar, Kosova do të vazhdojë të mbetet
    e izoluar.

    Cilat do të jenë pasojat pikërisht në këtë çështje, marrë parasysh se do të jetë një vit zgjedhor në Bashkimin Evropian. Do të kthehet
    procesi në zero?

    Thaçi: Nëse nuk kalon Demarkacionit, realisht Kosova do të mbetet e
    izoluar, padrejtësisht, megjithëse unë e kam vlerësuar se ka qenë
    kriter i panevojshëm dhe kurth nga Bashkimi Evropian për skenën
    politike, duke mos qenë ata të gatshëm ta tejkalojnë mosunitetin e
    vendeve të Bashkimit Evropian, kur dihet se pesë vende të Bashkimit
    Evropian nuk e kanë njohur Kosovën. E kanë vendosur kusht
    Demarkacionin, duke i ditur vështirësitë që i kemi për ta tejkaluar,
    por dëshiroj të besoj në pjekurinë e skenës politike kosovare dhe në janar do të përmbyllet.

    Kur jemi te çështja e Demarkacionit, ju jeni nënshkrues i
    marrëveshjes, ndërkohë që kemi një Komision qeveritar që thotë se marrëveshja ishte gabim. A ndiheni pendesë në atë nënshkrim?

    Thaçi: Marrëveshja e gushtit 2015 është e saktë është e qartë, është profesionale. Komisioni shtetëror ka bërë një punë të mirë, ka marrë vlerësimin ndërkombëtar ajo marrëveshje, kam nënshkruar si ministër i Jashtëm dhe si zëvendëskryeministër qëndroj pas atij nënshkrimi. Në të njëjtën kohë, jam duke e shikuar me seriozitet edhe punën e Komisionit
    të ri. Unë besoj që gjatë muajt janar do të gjendet një zgjidhje e vlerësimit të punës së Komisionit të më mëhershëm dhe ndonjë gjetje eventuale të Komisionit të ri, në mënyrë që të kemi një qëndrim të formësuar.

    Tek çështja e dialogut dhe raporteve me Serbinë, është paralajmëruar fillimi i fazës së fundit të këtij procesi. A besoni se do të
    nënshkruhet në fund një marrëveshje e cila do t’i hap dyert Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.

    Thaçi: Unë dua të shpresoj që dialogu do të vazhdojnë do të ndodhë formimi i një ekipi të përbashkët politik, por edhe nga shoqëria
    civile nga ana e palës kosovare dhe pastaj të fillojë ky proces. Unë
    dua të besoj fuqishëm se do të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që Serbia ta njoh Kosovën dhe Kosova Serbinë, do të
    thotë njohje reciproke dhe Kosova të jetë pjesë e organizatës së
    Kombeve të Bashkuara. Asnjë dialog tjetër nuk ka kuptim me Serbinë.

    A besoni se do të merrni mbështetjen e lidershipit në Kosovë që t’i prini edhe kësaj faze të fundit të dialogut?

    Thaçi: Përgjegjësitë tonë janë të specifikuara dhe të qartësuar edhe me Kushtetutë edhe me ligj, presidenti e përfaqëson ndërton politikën
    e jashtme, por kjo nuk është punë e vetëm një individi apo vetëm një institucioni do të jemi së bashku edhe Kuvendi edhe Qeveria edhe
    opozita edhe shoqëria civile.

    Si e shihini rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë?

    Thaçi: Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm në rolin mbështetës të fuqishëm nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por pa prezencën e Rusisë.

    --- SoupGate-Win32 v1.05
    * Origin: fsxNet Usenet Gateway (21:1/5)